11/11/2026
Dy skuadrat nga Kosova, Bashkimi dhe Trepça, do të zhvillojnë sonte ndeshjet e radhës në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, duke synuar paraqitje sa më të mira në arenën ndërkombëtare.
Nënkampioni i Kosovës, Bashkimi, do të përballet në udhëtim me skuadrën letoneze Valmiera Glass VIA. Takimi do të zhvillohet nga ora 18:00 në palestrën “Valmieras Olimpiskais”.
Skuadra prizrenase synon një paraqitje pozitive ndaj kundërshtarit letonez, të cilin e kishte mposhtur në përballjen e parë në Prizren me rezultat 79:77.
Ndërkohë, kampionia e Kosovës, Trepça, do të përballet me skuadrën greke Promitheas Patras, në ndeshjen që zhvillohet nga ora 18:00 në palestrën “Dimitris Tofalos”.
Mitrovicasit, të cilët kanë regjistruar tri fitore në pesë ndeshjet e para të fazës së grupeve, synojnë të vazhdojnë me paraqitje pozitive në garën evropiane. Trepça kishte shënuar fitore ndaj Splitit, Opavës dhe Batumit, ndërsa në ndeshjen e fundit ishte mposhtur në udhëtim nga Trieri.
Orari – 11 nëntor 2026:
Valmiera Glass VIA – Bashkimi, ora 18:00
Promitheas Patras – Trepça, ora 18:00