22/04/2026
Sonte vendoset për titullin e kampionit në Superligën e Femrave. Ndeshja e shtatë e finales së “Play-off”-it ndërmjet Peja 03 dhe Bashkimit do të përcaktojë se kush do të fitojë titullin.
Gjashtë takimet e mëparshme dhuruan spektakël, ku seria finale është 3:3, derisa kampion shpallet skuadra që fiton sonte.
Takimin e parë e fituan vashat e Bashkimit 57:66, kurse atë të dytë vashat pejane 65:55. Sfidën e tretë dhe të katërt finale e fituan fitueset e Kupës së Kosovës, 91:67 dhe 75:72. Në ndeshjen e pestë, fituan fitueset e Superkupës, 79:62. Edhe takimi i fundit dhuroi spektakël, duke përfunduar 60:65 për skuadrën e Pejës.
Spektakli është i garantuar mes dy skuadrave më të mira të basketbollit të femrave.
Kujtojmë që Bashkimi është kampion aktual, derisa këtë edicion ka fituar Kupën dhe Ligën Unike, kurse Peja 03 për herë të parë ka fituar Superkupën.
Bashkimi është nëntë herë kampion, ndërsa Peja 03 për herë të parë kërkon titullin e kampionit.
Ndeshja zhvillohet nga ora 19:30 dhe transmetohet në Art Motion.