Vendimet e Bordit të FBK-së

Vendimet e Bordit të FBK-së

29/04/2026

Në mbështetje të kompetencave të Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të përcaktuara me Statutin e FBK-së, përkatësisht nenin 24, si dhe në përputhje me Rregulloren e Punës së Bordit, Bordi i FBK-së, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 28.04.2026 në Prishtinë, pas shqyrtimit të pikave të rendit të ditës,

Riafirmon rëndësinë e zbatimit strikt dhe të plotë të Propozicioneve të Garave (PG), në veçanti dispozitave që rregullojnë organizimin e ndeshjeve, sigurinë në palestra dhe sjelljen e shikuesve. Përgjegjësia për zbatimin e këtyre dispozitave mbetet tek klubet organizatore dhe akterët relevantë, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me kornizën disiplinore në fuqi; si dhe merr këto vendime:

1. Obligohet KB Sigal Prishtina dhe KB Peja që të organizojnë kuvendet e tyre të rregullta zgjedhore jo më vonë se data 26 qershor 2026, në përputhje me Statutin dhe aktet normative në fuqi që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e klubeve në FBK.

2. Obligohen të gjitha klubet anëtare të FBK-së që të organizojnë kuvendet e punës në përputhje me kriteret për licencim për edicionin 2026/2027, jo më vonë se data 26 qershor 2026.

3. Miratohet propozimi për ristrukturimin e Komisionit për Basketbollin e Vajzave dhe Grave dhe themelimin e mandatit të ri të tij, në përputhje me nenin 25 të Statutit të FBK-së dhe nenin 2 të Rregullores për Komisionet e FBK-së, si dhe në harmoni me objektivat e Planit Strategjik të FBK-së 2026-2030. Komisioni ristrukturohet si trup këshillëdhënës me mandat të qartë strategjik dhe operacional, me detyrë kryesore hartimin e Koncept-Dokumentit për zhvillimin e basketbollit të femrave për Ministrinë përkatëse. Komisioni do të ushtrojë funksionet e tij në përputhje me aktet normative në fuqi të FBK-së dhe do të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në basketboll, zhvillimin e talenteve dhe avancimin e sistemit të garave dhe programeve përkatëse.

Përbërja e Komisionit është si vijon:

  Aulona Muhadri – Kryesuese;

– Vlora Braha – Anëtare;

– Jeta Zeka – Anëtare;

– Era Shatri – Anëtare;

– Agnesa Rrahmani – Anëtare.

Mandati i Komisionit lidhet me periudhën e Planit Strategjik 2026–2030, me rishikim të përbërjes çdo vit, në pajtim me Rregulloren për Komisionet e FBK-së. Sekretari i Përgjithshëm është anëtar ex officio i Komisionit, pa të drejtë vote, dhe ushtron funksion mbikëqyrës institucional mbi punën e tyre në zbatim të Planit Strategjik.

4. Miratohet regjistrimi i klubit ABC Basket si anëtar i FBK-së, në përputhje me Vendimin Nr. 29/2025-26 të Komisionit të Garave. Ky miratim është i natyrës së përkohshme dhe vlen deri në vendimmarrjen përfundimtare nga Kuvendi i FBK-së, në mbledhjen e radhës, ku pranimi i anëtarëve të rinj bëhet me më shumë se 50% të votave të delegatëve të pranishëm. ABC Basket nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, gëzon të drejtat dhe obligimet që rrjedhin nga statusi i anëtarit të përkohshëm të FBK-së, në përputhje me aktet normative në fuqi të FBK-së.

Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij.

Në emër të Bordit të FBK-së,

Arben FETAHU

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners