23/09/2026
Peja nis sonte rrugëtimin në kualifikimet e FIBA Europe Cup, ku përballë do të ketë skuadrën rumune Dinamo Bucharest, 22 herë kampione të Rumanisë.
Peja tashmë synon të bëjë hapin tutje dhe të sigurojë një vend në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup.
Përballja me Dinamo Bucharest zhvillohet në dy ndeshje. Ndeshja e parë luhet më 23 shtator në Pejë, ndërsa sfida e kthimit zhvillohet më 30 shtator në Rumani.
Fituesi i këtij dueli do të kualifikohet në fazën e rregullt. Në total janë tri çifte kualifikuese, ndërsa përveç tre fituesve, tutje do të kalojë edhe një skuadër si “lucky loser”. Kjo do të jetë skuadra më e mirë e renditur mes tri skuadrave humbëse, në përputhje me Seksionin D të Rregullave Zyrtare të Basketbollit.
Kjo e bën të rëndësishëm çdo rezultat dhe çdo pikë në të dyja ndeshjet, ndërsa Peja do të kërkojë që në takimin e parë para tifozëve të saj të krijojë pozitë sa më të favorshme për sfidën vendimtare në Bukuresht.
Pas përfundimit të ndeshjeve të kthimit më 30 shtator, do të kompletohet lista prej 48 skuadrave që do të garojnë në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup.
Pjesë e grupeve janë kampionia e Kosovës, Trepça dhe nënkampioni Bashkimi.